Ish-kapiteni i Gjermanisë, Mikael Balak, ka çuditur një gjykatë spanjolle duke deklaruar se nuk është në gjendje të paguajë gjobën që ka marrë për tejkalimin e shpejtësisë në autostradë, pasi “është i papunë” dhe “nuk ka hyrje të ardhurash ekonomike”.
Balak firmosi një kontratë prej 120 mijë paund në javë me Çelsin në vitin 2006, dhe ka fituar minimalisht 80 mijë paund në javë te kjo skuadër të paktën deri në vitin 2010.
Por avokati i ish-kapitenit të përfaqësues gjermane, i cili i dha fund ditëve të tij si futbollist pasi Leverkuseni e la lojtar të lirë gjatë verës, tha se klienti i tij mund të paguajë vetëm 1/10 e gjobës prej 10 mijë eurosh që i kanë vënë autoritetet policore në Spanjë.
Policia rrugore spanjolle e ndali ish-mesfushorin duke ecur me shpejtësi 211 km/orë me makinën e tij Audi U7, në një zonë ku lejohej të ecte maksimalisht me shpejtësi 120 km/orë.
Ai u arrestua dhe të nesërmen e ngjarjes, para një gjykate spanjolle, ai mësoi se rrezikonte 2 vjet heqjen e patentës dhe një gjobë prej 10 mijë eurosh.
Por avokati i tij, Hesus Gallego Rol, i kërkoi sot gjykatës një pezullim njëvjeçar si dhe një gjobë prej vetëm 1 mijë eurosh, pasi Balak aktualisht nuk fiton para pasi është “i papunë”. “Të jesh një futbollist i famshëm nuk do të thotë detyrimisht që ke të ardhura të vazhdueshme”, tha avokati duke argumentuar se një shpejtësi e tillë nuk përbënte shkelje të rregullave në Gjermani. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 31 October 2012 21:18