Ndërsa Turi i Francës po bëhet gati të nisë edicionin e 100-të, Lens Armstrong ka lëshuar një tjetër alarm të qartë se sporti i çiklizmit vazhdon të vuajë nga problemi i dopingut.
“Është e pamundur të Fitosh Turin e Francës pa marrë substanca dopuese”, deklaroi ish-çiklisti amerikan për gazetën “Le Monde”. “Kjo ndodh pasi Turi është një provë rezistence gjatë të cilës oksigjeni është vendimtar”, tha ai duke aluduar se çiklistët mund të vazhdojnë të përdorin gjak të pasuruar me oksigjen.
Sipas Armstrong, të cilit iu hoqën 7 titujt e fituar në këtë garë pasi pranoi se kishte përdorur doping gjatë karrierës së tij, substanca të tilla ndihmojnë në garat e distancave të largëta.
“Po ju tregoj një shembull të thjeshtë. EPO nuk do të ndihmojë një çiklist të garave të shkurtra të fitojë sprintin e 100 metrave. Por ai është vendimtar për një garues të 10 mijë metrave. Kjo është e dukshme. Dopingun nuk e shpika unë, ekziston që nga kohët e lashta dhe do të ekzistojë gjithmonë. Unë thjesht kam qenë pjesë e një sistemi, jam një qenie njerëzore, por nuk mund të riparoj kurrë atë që kam bërë”, ishin fjalët e Armstrong. (LajmeShqip.com)
Friday, 28 June 2013 12:39