Lens Armstrong ka pranuar se të shtatë fitoret e tij në Turin e Francës kanë qenë meritë e përdorimit të substancave të palejuara dopuese apo transfuzionit të vazhdueshëm të gjakut. Ish-çiklisti amerikan ka treguar në intervistën e dhënë për Oprah Uinfri se kishte vepruar në këtë mënyrë pasi e cilësonte të pamundur fitoren në formë të ndershme në aktivitetet e çiklizmit, duke aluduar se përdorimi i substancave dopuese është gjë normale mes çiklistëve.
Që në pyetjen e parë, u bë e qartë gjithçka në këtë intervistë që është ndjekur me shumë vëmendje në të gjithë botën. “Po”, ishte përgjigja e tij sapo u pyet nëse kishte përdorur rregullisht substanca të palejuara gjatë karrierës së tij, pohim të cilin e përsëriti si për eriytropoietin (EPO), hormonet e rritjes apo transfuzionin e gjakut.
“Pse gënjeva gjatë këtyre viteve? Nuk e di! Tani është shumë vonë, për pjesën më të madhe të njerëzve dhe është krejtësisht faji im. E shoh këtë situatë si një gënjeshtër të madhe të cilën unë e kam përsëritur shumë herë. Ndërsa jetoja gjatë këtij procesi, e dija të vërtetën. E vërteta nuk është ajo që kam thënë unë dhe tani momenti i duhur për të thënë gjërat ka kaluar”, ishin fjalët e Armstrong.
Sipas tij, ai nuk do të kishte arritur të fitonte gjë në botën e çiklizmit pa përdorur substancat dopuese. “Nuk do të fitoja kurrë, të paktën jo në atë brez çiklistësh. Nuk është se e shpika unë kulturën e përdorimit të doping, por as nuk u mundova ta ndalja. Por nuk dua të akuzoj të tjerët, këtu dua të pranoj gabimet e mia”, tha ai, ndërsa deklaroi se nuk kishte paguar ryshfet te askush në Federatën Ndërkombëtare të Çiklizmit.
Por reagimet pas intervistës kanë qenë mjaft negative, pasi shumë kompani dhe individë të ndryshëm po përgatiten ta hedhin në gjyq ish-çiklistin amerikan si dëmshpërblim ndaj miliona dollarëve që ai ka fituar në mënyrë të pandershme nëpërmjet substancave dopuese. (LajmeShqip.com)
Friday, 18 January 2013 09:30