Pas një dekade mohimesh, Lens Armstrong më në fund ka vendosur të pranojë fajin e tij: përdorimin e substancave dopuese për të fituar në Turin e Francës. Këtë fakt e ka pohuar një person në dijeni të situatës së ish-çiklistit, i cili ka treguar për “Associated Press” se Armstrong ka zbuluar gjithçka në intervistën e regjistruar të hënën me prezantuesen e famshme amerikane, Oprah Uinfri.
Sipas këtij burimi, që ka preferuar të mbetet anonim pasi intervista e plotë do të publikohet vetëm të enjten, pranimi i Armstrong erdhi pasi ai u kërkoi falje drejtuesve të fondacionit “Livestrong”, me të cilin ka punuar për të mbledhur të ardhura që shërbejnë për investime në luftën kundër kancerit.
Kjo ka rritur më shumë interesimin për të ndjekur këtë intervistë ku Armstrong mendohet se do të tregojë gjithçka, si ka filluar abuzimi i tij me substancat e palejuara që 10 vite më parë dhe se si ka shfrytëzuar famën për të shmangur kontrollet e vazhdueshme antidoping nëpërmjet mënyrave më të sofistikuara apo edhe shoqërisë.
Interesimi për intervistën është edhe për faktin e Armstrong mund të përmendë publikisht edhe emrat e personave të tjerë të përfshirë, sidomos të drejtuesve të lartë të çiklizmit botëror të cilët mendohet se e kanë ndihmuar që të shmangë kontrollet antidoping gjatë karrierës së tij duke e paralajmëruar. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 15 January 2013 10:57