Tiranë – Me fitoren e realizuar mbrëmë në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës me rezultatin 3 me 2, kombëtarja shqiptare e futbollit ka krijuar një klimë shumë pozitive për pragndeshjen Shqipëri-Francë, e vlefshme për eliminatoret e “Euro 2012”.
Tre golat e shënuar nga Bogdani, Hyka dhe Salihi, njëri më i bukur se tjetri, kanë ndezur peshë entuziasmin e tifozërisë kuqezi, jo vetëm në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”, por edhe jashtë tij. Me dhjetra e qindra grupe tifozësh, me flamur dhe dekorë të shumtë kuqezi mbushen sheshin qëndror të qytetit të Shkodrës, duke festuar deri në orët e vona të mesnatës suksesin e përfaqësueses sonë.
Ndërkohë, duke iu referuar deklaratave të trajnerëve të dhëna menjëherë pas ndeshjes, tekniku i Shqipërisë, Josip Kuzhe e konsideron këtë fitore shumë të rëndësishme në prag të ballafaqimit me Francën, ndërkohë që homologu i tij i Malit të Zi, Zllatko Kranjcar, edhe pse është mundur, ka dalë i kënaqur nga loja e të tijve, pasi në njëmbëdhjetëshin e parë të formacionit, ka patur disa mungesa serioze.
“Na gëzon fitorja, pasi luajtëm ndaj një kundërshtari shumë të fortë, i cili ka arritur rezultate shumë të mira në grupin europian përballë kundërshtarëve të fortë. Patëm momente me të vërtetë të mira ku meritonim të fitonim, por patëm edhe momente disi më pak të mira, ku nuk luajtëm mirë, por gjithësesi jam shumë i lumtur për këtë fitore”, u shpreh tekniku Kuzhe në konferencen e shtypit pas ndeshjes. Në vazhdim, ai shtoi se pas pësimit të golit të dytë në portën tonë, lojtarët tanë u çorientuan pak, pasi kërkonin të shënonin me çdo kusht, duke lënë pak hapësirë përpara mbrojtjes, por me kalimin e minutave filluam të organizohemi përsëri, duke marrë frenat e lojës, që na dha edhe rezultatin e dëshiruar. Kuzhe foli edhe për portjerin Ujkani, i cili edhe pse shfaqi pasiguri në disa reagime të tij në këtë ndeshje, shprehu besimin ndaj tij për të ardhmen, duke theksuar se e kemi fituar këtë portier si titullar. Ndërkohë, Kuzhe vlerësoi shumë golat e shënuar në portën malazeze me anë të Bogdanit, Hykës dhe Salihit, por që sipas tij, ndaj Francës duhet akoma më shumë për të shënuar në portën e tyre.
Në lidhje me disa kritika të adresuara ndaj tij për mos përfshirjen në kombëtare të elementit të ri me perspektive, ai tha se se “për momentin jemi të angazhuar për ndeshjet kualifikuese të Europianit, ndaj edhe kemi menduar që t’i mbarojmë këto ndeshje, dhe më pas të mendojmë për aktivizimin e tyre, sepse ato janë në vemendjen tonë, sidomos Roshi dhe Vajushi”.
Për Kuzhen, kjo fitore ishte shumë e rëndësishme, pasi krijon optimizmin e nevojshëm në momentin e duhur, pikërisht në prag të ndeshjes zyrtare të eliminatoreve të Europianit me Francën.
Ndërkohë, homologu i tij në pankinën e Malit të Zi , Zllatko Kranjcar, edhe pse e humbi ndeshjen në Shkodër, komplimentoi lojën e skuadrës së tij. “Ne luajtëm në Shkodër me disa mungesa shumë të rëndësishme të formacionit të parë, dhe zëvendësuesit e tyre i zbatuan më së miri detyrat taktike. Ishim me meritë në avantazh 2 me 1 dhe patëm mundësi ta fitonim ndeshjen, por pas ndalesës së përkohshme të ndeshjes si rezultat i reagimit të tifozëve shqiptarë, kjo ndikoi jo mirë psikologjikisht për futbollistët tanë, ndërkohë që për shqiptarët ishte e kundërta. Ata e shfrytëzuan këtë rast dhe shënuan dy herë, duke e merituar fitoren”, u shpreh Zllatko Kranjcar për median. (LajmeShqip.com)
Thursday, 11 August 2011 12:14 