Shkodër – Një vit më parë, me një eurogol të Hamdi Salihit, kombëtarja shqiptare e kishte mposhtur atë malaziase me rezultatin 1-0, në një miqësore që u zhvillua në Podgoricë.
Ndërsa, sonte në “Loro Boriçi”, në Shkodër, ku pritet të jetë një atmosferë e zjarrtë kuq e zi, “çeta” e udhëhequr nga ylli evropian i Malit të Zi, Mirko Vuçiniç, sigurisht se do të kërkojë ta lajë turpin e një viti më parë.
Pavarësisht se rezultati nuk do të jetë shumë i rëndësishëm, dhe pavarësisht se ky takim po luhet në funksion të atyre që do të vijnë, sërish një përballje fqinjësh mbetet një derbi.
Në orën 20:00, dy skuadrat do t’i japin jetë një ndeshjeje që shpresohet të jetë e bukur dhe që është e sigurt se do të ndiqet nga shumë tifozë shkodranë.
Kombëtarja Kuq e Zi kthehet në Shkodër, në ndeshjen e tretë, aty ku përherë pati bilanc pozitiv. Më 29 mars të 8 viteve më parë, kuqezinjtë e drejtuar atëherë nga Brigel mposhtnin Rusinë me një 3-1 bindës, ku shënuan Rraklli, por edhe Altin Lala, si dhe gjigandi Igli Tare për të vulosur rezultatin përfundimtar. Një 0-0 ndaj Sllovenisë më 24 mars 2007 thjesht na thotë se në Shkodër kombëtarja nuk është mundur ende.
Këtë herë do të luhet për të përgatitur sa më mirë ndeshjet e radhës në eleminatoret e Euro 2012, Francën dhe Luksemburgun, natyrisht më shumë të parën, por edhe për të fituar. Trajneri Kuzhe e ka premtuar, madje ka deklaruar se skuadra do të luajë në sulm.
Të paktën një shkodran do të jetë në fushë dhe ky e ka emrin Hamdi Salihi, shqiptari që ndëshkoi fqinjët në ndeshjen e kaluar. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 10 August 2011 16:43