Shkodër – Sulmuesi i kombëtares, Hamdi Salihi, ish-futbollist i Vllaznisë, aktualisht pjesë e kampionatit austriak të futbollit pranë skuadrës së Rapidit të Vjenës, ka qënë padyshim heroi i ndeshjes së mbrëmshme Shqipëri-Mali i Zi, e luajtur në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës.
Ka qenë minuta e 69-të, kur pas një topi të harkuar nga distanca në adresë të tij, edhe pse me shpinë nga porta malazeze, Salihi ka bërë mrekullinë, kur me atë rrofeshatë spektakulare në hyrje të zonës së rreptësisë ka befasuar skuadrën mike dhe në veçanti portierin malazez, Mlladen Bozhoviç, i cili është shtangur kur e ka parë topin të përfundonte në rrjetën e tij duke mos i lënë asnjë shans që ai të reagonte.
Një gol, emocionet e të cilit çuan peshë një qytet të tyrë, i cili pas ndeshjes iu bashkua ultrasve “kuqezi” duke festuar deri në orët e para të mëngjesit në sheshin qëndron të qytetit.
Autori i golit është Hamdi Salihi, një djalë shkodran i talentuar që falë cilësive që po demostron në Austri, është vënë në shënjëstër të disa klubeve të njohura europiane.
Nuk është rastësi që Salihi i shënon malazezëve, sepse një gjë të tillë ia ka bërë edhe ndeshjen paraardhëse miqësore duke i shënuar në shtëpinë e tyre, në stadiumin e Buduçnostit të Podgoricës, gol që edhe atje i dha fitoren Shqipërisë 1-0.
“Është gjithëmonë kënaqësi, të fitosh dhe të shënosh një gol në Shkodër, aty ku ke mësuar të luash futboll, ku ke gjithçka, ke familjen tënde”, tha Hamdi Salihi, pas ndeshjes.
Si e ndjetë veten në atë moment, kur rrofeshata juaj spektakulare e dërgoi topin në rrjetë, në trekëndëshin e djathtë të portjerit malazez Mlladen Bozhoviç?
“Mund të them se ishte një ëndërr e realizuar, aq më tepër në stadiumin e qytetit tim. Këtë gol dëshiroj t’ia dedikoj tifozërisë së zjarrtë shkodrane dhe familjes sime, që ka pjesen kryesore që unë të bëhesha futbollist i Vllaznisë, e më me pas në nivelet ku kam arriur sot”, shprehet Salihi.
Duke lënë pas fitoren me Malin e Zi, tashmë përpara është Franca, një tjetër beteje edhe më e fortë, aq më tepër kur luhet zyrtare për eleminateret e Europianit?
“Mendoj se do të jetë një ndeshje e vështirë, por atmosfera është shumë e mirë dhe do të luftojmë për të marrë pikë”, tha ai.
Shumë komente për merkaton e Salihit, ku emri juaj lakohet në disa skuadra europiane. Të rejat më të fundit rrethë mundësisë së transfertës suaj?
“Aktualisht jam në Viene tek Rapidi, ku kam kontratën, dhe besoj se nëse nuk do të dalë diçka shumë më e mirë, do të rri aty”, përfundon sulmuesi shkodran.
Ndërkohë duke iu rikthyer fitores së Shkodrës, statistikat tregojnë se kjo është ndeshja e tretë miqësore që Shqipëria zhvillon me Malin e Zi. E para i takon vitit 1946 e zhvilluar në Shkodër e fituar me rezultatin e thellë 5-0, ku dy prej tyre mbajnë firmën e shkodranit Xhelal Juka. (LajmeShqip.com)
Thursday, 11 August 2011 19:05 