Shkodër – Repriza ndodhi. Me një eurogol tjetër të sulmuesit shkodran, Hamdi Salihi, Shqipëria i dha vulë fitores së sontme kundër Malit të Zi, me rezultat 3-2.
Ishte kjo ndeshja e dytë miqësore brenda një viti midis Shqipërisë dhe Malit të Zi, e cila përfundoi, po ashtu, me fitoren e kuqezinjve.
Në ndeshjen tjetër miqësore, në mes të Podgoricës, vitin e kaluar Shqipëria e mposhti Malin e Zi po me golin e Hamdi Salihit, në minutën e 85-të, 1-0.
Stadiumi “Loro Boriqi” sonte kishte festë dhe furia Kuq e Zi kishte pushtuar fushën e blertë në Shkodër.
Shqipëria avancoi e para me golin e Bogdanit, kurse Mali i Zi barazoi në minutën ’40, përmes lojtarit të Manchester City-t, Saviq. I njëjti e kaloi Malin e Zi në eprësi, në minutën ’48. Por, një eurogol i “Messit shqiptar”, Jahmir Hyka, nga një goditje e fuqishme nga distanca, barazoi shifrat.
Momenti pikant i ndeshjes ishte eurogoli me gërshërë, i Hamdi Salihit, sulmuesit shkodran të Rapidit të Vjenës, i cili e pranoi mjeshtërisht një krosim nga ish-mesfushori i Prishtinës, Debatik Curri, për ta përplasur topin në rrjetën malazeze, krejtësisht në stilin e Hugo Sachezit të dikurshëm, legjendës së Real Madridit.
Shqipëria dhe të gjithë lojtarët kuq e zi kënaqën sonte. U treguan heronj të vërtetë të në fushë, dhe shqiptarë në luftë për fitoren. Iu lumtë! Ndeshjet e tilla nuk janë gjithmonë veç miqësore. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 10 August 2011 21:57 