Kal Kraçlou ka regjistruar pole-position të parë në karrierën e tij në MotoGP pas kualifikuesve perfekte në pistën e Asen në Holandë. Piloti i Jamaha Tek 3 ka përfituar nga mungesa e Horge Lorenco, i cili theu klavikulën një ditë më parë, si dhe nga dëmtimi i Mark Markez i cili pësoi frakturë në gishtat e këmbës gjatë provave të paradites, për të marrë vendin e parë.
Në fakt favoriti për të marrë vendin e parë në nisje ishte Dani Pedroza, i cili dha kohën më të shpejtë dhe po shkëputej nga ndjekësit kur u rrëzua dhe pastaj vendosi të mos rrezikonte me motorin e dytë, duke përfunduar provat vetëm në vendin e pestë.
Fillimisht ishte Valentino Rosi që mbërtheu vendin e parë, për t’u kaluar më pas nga Stefan Bradl. Megjithatë, as ai nuk arriti të mbante për një kohë të gjatë këtë pozicion, pasi fillimisht Markez, e më par Kraçlou, regjistruan kohë më të shpejta, me britanikun që siguroi vendin e parë në nisje me kohën 1 minutë e 34.398 sekonda. Vendi i dytë i shkoi Markez, me Bradl që plotësoi vijën e parë në nisje e më pas me radhë Rosi, Pedroza e Smith.
Këto prova ishin shumë zhgënjyese për Dukatin me Niki Hejden që regjistroi vendin e 10-të, ndërsa Doviciozo të 15-tin, i kaluar edhe nga pilotët e skuadrave satelit, Pirro e Ianone. (LajmeShqip.com)
Friday, 28 June 2013 22:29