Botërori i Atletikës që zhvillohet në muajin gusht, pritet të dhurojë shkëndija në garën e 100 metrave. Nëse Xhastin Gatlin mundi Usain Bolt në një nga garat e sezonit të dy javëve të mëparshme, një tjetër mesazh i qartë, xhamajkanit i ka ardhur nga Tajson Gei. Ky i fundit, në kualifikueset e e SHBA për pjesëmarrjen në Botëror, ka regjistruar kohën më të mirë të vitit.
Gei ka arritur të mposhtë me lehtësi Gatlin, duke ndalur kronometrin në 9.75 sekonda, që është njëkohësisht edhe koha e 10-të më e shpejtë në historinë e kësaj gare. Amerikani duket në formë dhe pasi ka lënë problemet fizike të dy sezoneve të fundit, shpreson të përfitojë edhe nga forma jo krejtësisht perfekte e Bolt për ta mundur në një garë direkte.
Xhamajkani për vete ka siguruar pjesëmarrjen në Botëror duke fituar lehtësisht kualifikueset në vendlindjen e tij, me kohën 9.94 sekonda. Duhet theksuar se në këtë garë, nuk ka marrë pjesë Johan Bleik, që është kualifikuar automatikisht nga Federata Xhamajkane, ndërsa Asafa Pauell doli vetëm i 7-ti, duke i dhënë lamtumirën pjesëmarrjes së mundshme të tij.
“Këto gara shërbejnë vetëm për të siguruar pjesëmarrjen në Botëror, pasi Kampionati Botëror është ai ku ka rëndësi të paraqitesh sa më mirë. Kam garuar 9.63 dhe 9.58, ndaj standardet botërore janë ende të miat”, ishte deklarata e Bolt rreth asaj që kishte bërë Taison Gei në SHBA. (LajmeShqip.com)
Saturday, 22 June 2013 13:39