Rreth 2 mijë vrapues që nuk patën mundësinë të përshkruanin metrat e fundit të garës gjatë maratonës së Boston, pas sulmit terrorist të muajit të kaluar, do të kenë mundësinë sot të mbyllin metrat e fundit të kësaj gare.
Me mijëra vrapues në maratonë nuk e mbyllën dot atë, pas shpërthimit të dy bombave artizanale që i shkaktuan 3 të vdekur dhe mbi 250 të plagosur. Për të kujtuar viktimat e kësaj tragjedie, rreth 2 mijë nga këta atletë kanë vendosur që të çojnë deri në fund garën e tyre, si për të treguar se nuk janë dorëzuar para këtij akti terrorizmi të pashembullt. Për më tepër, nisja e kësaj gare që zgjat një milje, do të bëhet pikërisht nga vendi ku shpërthyen 2 bombat.
Nuk do të ketë as sinjal nisje, as kronometrim e as ceremoni mbylljeje të kësaj gare simbolike. Pas vijës së finishit, të gjithë pjesëmarrësit do të ftohen t’i bashkohen iniciativave të shoqatave që mbledhin fonde për viktimat e sulmit, të cilat do të organizojnë një panair të vogël në rrugë.
Kuptohet që e gjithë zona do të kontrollohet rreptësisht nga policia dhe çdo rrugë që të çon në këtë pjesë të Boston është e rrethuar prej shumë ditësh. (LajmeShqip.com)
Saturday, 25 May 2013 08:51