Rekordi i 91 pikëve në një kampionat i vendosur nga Juventusi i Fabio Kapelos në vitin 2006 do të qëndrojë në fuqi për të paktën edhe një sezon, pasi bardhezinjtë e Antonio Kontes nuk do të mund ta thyejnë në këtë edicion të Serisë A.
Juventusit i duheshin 2 fitore në dy ndeshjet e fundit të Serisë A për të kaluar këtë kuotë pikësh, por tentativa e tyre ka dështuar që në provën e parë, pasi në “Juventus Stadium”, në ditënr kur do të festohej titulli kampion, ata janë ndalur nga Kaljari në barazim 1-1.
Pakkush e priste këtë rezultat, duke pasur parasysh se Kaljari nuk luante për asgjë dhe kishte siguruar prej kohësh mbijetesën në Serinë A. Por sardët kanë dhënë një shembull konkret se si duhet respektuar kampionati dhe nuk janë dorëzuar para Juventusit.
Për më tepër kanë qenë miqtë që kanë kaluar në avantazh me anë të Ibarbo në fillimin e ndeshjes, ndërsa i kanë bërë rezistencë sulmeve të ekipit vendas, që gjeti golin e barazimit me Vuçiniç në pjesën e dytë vetëm falë një pasigurie të portierit Agazi.
Ky në fakt ishte objektivi që Juventusi i kishte vënë vetes në këtë fund kampionati, por duket se do ta tentojë në sezonin pasardhës, meqë pritet që të jetë përsëri pretendente kryesore për titullin kampion në Itali. (LajmeShqip.com)
Saturday, 11 May 2013 21:13