Frenk Lampard ka qenë heroi i ndeshjes së parë të kësaj jave në kampionatin anglez, pasi ka arritur të barazojë e pastaj kalojë legjendën e Çelsit, Bobi Tambling me dy golat e tij në suksesin 2-1 ndaj Aston Vilës.
Suksesi jashtë fushe ka qenë shumë i rëndësishëm për skuadrën e Benitez që thuajse ka siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm, ndërsa në mesjavë luan në finalen e Europa League duke u munduar të marrë një trofe ndërkombëtar.
Tashmë Lampard regjistron 203 gola të shënuar me Çelsin, në atë që pritet të jetë një nga ndeshjet e fundit të karrierës së tij me klubin londinez, për të kaluar Tambling që kishte shënuar 202 gola për këtë klub.
Pasi futbollisti shënoi golin e tij të dytë të ndeshjes, për më tepër në minutën e 88-të të takimit, disa tifozë festuan aq shumë sa hynë edhe në fushën e lojës, pasi tashmë Lampard është një legjendë e mirëfilltë për klubin.
“Ky gol do të thotë gjithçka për mua, është e mrekullueshme. I jam mirënjohës secilit prej shokëve të skuadrës të cilët më kanë mbështetur dhe shpesh kanë qenë ata që më kanë dhuruar golat që kam shënuar. Falënderoj edhe tifozët, që kanë qenë përkrah meje për një kohë të gjatë dhe me shumë mundësi kanë qenë po aq të shqetësuar sa unë derisa arrita këtë rekord. Në shenjë respekti nuk festova kur barazova rekordin e Tambling, por kur e theva atë nuk mund t’i rezistoja gëzimit”, shpjegoi Lampard, goli i parë i të cilit me fanellën e Çelsit ka ardhur në vitin 2002 ndaj Bolton. (LajmeShqip.com)
Saturday, 11 May 2013 16:57