Kthimi i Rafael Benitez në Liverpul, për të luajtur atje si kundërshtar në drejtimin e Çelsit, nuk ka pasur fundin që pritej edhe për faktin se rezultati përfundimtar 2-2 rrezikon të kalojë në plan të dytë për shkak të një tjetër ngjarje ku protagonist është bërë Luis Suarez.
Sulmuesi uruguaian shënoi golin e barazimit për skuadrën e tij në sekondat e fundit të sfidës, por disa minuta më përpara bëri një tjetër gjest të diskutueshëm, duke kafshuar në krah mbrojtësin e Çelsit, Branislav Ivanoviç.
Në minutën e 76-të, kur rezultati ishte 2-1 në favor të Çelsit, uruguaiani duket sikur kafshon Ivanoviç, i cili reagon duke protestuar edhe te gjyqtari, por ky i fundit bën shenjë që loja të vazhdojë pa ndëshkuar Suarez. Sulmuesi problematik më pas shënoi golin e barazimit duke i dhënë skuadrës së tij një pikë që vlen më shumë për prestigj se për renditjen në kampionat.
Ndërkohë, Totenhem ka mundur me rezultatin 3-1 Mançester Sitin, duke i dhënë Mançester Junajtid mundësinë të fitojë që nesër titullin e 20-të kampion nëse siguron tri pikët përballë Aston Vilës. (LajmeShqip.com)
Sunday, 21 April 2013 20:08