Çelsi ka marrë një rezultat shumë të rëndësishëm në ndeshjen e javës së 36-të të kampionatit anglez, duke fituar me rezultatin 1-0 në fushën e kampionëve të saposhpallur të Anglisë, Mançester Junajtid. Falë këtyre tri pikëve, skuadra e Benitez është kthyer përsëri në vendin e tretë në renditjen e kampionatit, që siguron pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm.
Ndonëse përballë njëra-tjetrës ishin dy ndër skuadrat më të suksesshme të viteve të fundit në Angli, spektakli në fushë nuk ka qenë ai i pritshmi, pasi dy ekipet kanë rrezikuar pak, apo aspak, në portat kundërshtare. Mançesteri nuk ka dashur të lodhej kot përballë londinezëve, duke parë se nuk luftonte për asgjë, ndërsa blutë kanë krijuar më shumë volum loje, por pa gjuajtje në potë.
Gjithsesi, për të marrë tri pikët e shumëkërkuara është dashur të pritej minuta e 87-të të takimit kur Huan Mata me një gjuajtje tokazi ka arritur të dërgojë topin në rrjetë duke shënuar golin e vetëm të sfidës. Me këto tri pikë, Çelsi ka kaluar Totenhemin, skuadër ndaj të cilës do të luajë në derbin e mesjavës dhe që do të jetë vendimtar për të caktuar se cila skuadër do të shkojë në Ligën e Kampioneve, pa harruar se në garë është edhe Arsenali.
Ndërkohë, takimi tjetër i të dielës, ai derbi mes Liverpulit dhe Evertonit, ka përfunduar në barazim pa gola. (LajmeShqip.com)
Sunday, 05 May 2013 19:11