Çelsi dhe Totenhem kanë ndarë nga një pikë në barazimin 2-2 mes tyre në derbin e ndezur të Londrës, ku dy skuadrat luanin shanset për të marrë pjesë në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm. Por në fund, të dy palët janë kënaqur me nga një pikë që ka lënë gjithçka hapur, edhe pse Totenhemi rrezikon më shumë të mbetet jashtë zonës së Ligës së Kampioneve në sezonin e ardhshëm, pasi aktualisht është në vendin e pestë.
Ndeshja ka folur më shumë për Çelsin, që ka dominuar që në minutat e para dhe ka gjetur golin e avantazhit me Oskar pas zhvillimit të një goditje nga këndi. Por më pas ishte Adebajor që në mënyrë të papritur vendosi barazinë, pikërisht në momentin më të mirë të Çelsit.
Gjithsesi, skuadra e Benitez luftoi më shumë, duke kërkuar me ngulm që të gjente dhe golin dhe ia arriti qëllimit kur në minutën e 39-të, Ramires u shfaq në zonë duke mposhtur Loris me një goditje të saktë.
Pjesa e dytë foli krejtësisht për Çelsin, me Totenhemin që nuk bëri thuajse asnjë gjuajtje në portë dhe dukej se do të largohej me një tjetër humbje nga “Stemford Brixh” duke i dhënë lamtumirën ëndrrave për Ligën e Kampioneve. Por një kombinim Adebajor-Sigurdson, me islandezin që dërgon topin në rrjetë kur mbeteshin dhe 10 minuta lojë, bëri që skuadra e Vijas Boas të mbetej në garë pas barazimit 2-2, edhe pse është në vendin e pestë dhe ndjek Arsenalin, një skuadër që ka një kalendar mëse të favorshëm në dy javët e mbetura.
Ndërkohë, Çelsit i mjafton të fitojë ndeshjen e fundjavës ndaj Aston Vilës për të siguruar përfundimisht edhe matematikisht pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve me një vend mes katër skuadrave të para. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 08 May 2013 22:54