Interi në sezonin e ardhshëm mund të qëndrojë jashtë Kupave të Evropës. Zikaltërit, kur mbeten 3 javë nga fundi i Serisë A, janë në vendin e 8-të, pozicion të cilin e kanë “fituar” pas humbjes 3-1 në fushën e Napolit, ku regjistruan disfatën e 14-të të këtij edicioni, të 4-tën në 5 ndeshjet e fundit.
Pavarësisht mungesave të shumta për shkak dëmtimesh në radhët e zikaltërve, Napoli ka dominuar bindshëm që nga minuta e parë në të fundit, duke gjetur 3 herë rrugën e rrjetës me Edinson Kavanin, i zgjuar përsëri në pjesën e dytë të sezonit dhe falë golave të tij ka arritur të mbajë ekipin në vendin e dytë në renditje. I vetmi sinjal i Interit ishte penalltia e shënuar nga Alvarez, shumë pak për një skuadër që teorikisht duhej ta kishte interpretuar këtë ndeshje për jetë a vdekje.
Nëse zikaltërit i dhanë fund ëndrrave të tyre për Ligën e Kampioneve dhe kanë ende pak shpresa për pjesëmarrjen në Europa League, napolitanët kanë siguruar matematikisht pjesëmarrjen në turneun më të rëndësishëm për klube në Evropë dhe në javët e mbetura do të kërkojnë të mbrojnë vendin e dytë nga sulmet e Milanit. (LajmeShqip.com)
Sunday, 05 May 2013 22:49