Pep Guardiola është i bindur se të gjithë duhet të përgatiten sot për një ndeshje të madhe, ku mund të ndodhë gjithçka pasi luajnë Barcelona dhe Bajern Mynih, dy ekipe shumë të mëdha. Këtë deklaratë, trajneri spanjoll e ka lëshuar në Bogota të Kolumbisë ku ka marrë pjesë në një konferencë në një sallë me 10 mijë persona të pranishëm.
“Luajnë dy skuadra fantastike, gjithçka mund të ndodhë. Janë dy ekipe që kanë pasur një dominim të jashtëzakonshëm në kampionatet e tyre. Ajo që kanë arritur në këtë sezon është shumë e merituar. Ndaj po pres me padurim të shoh këtë ndeshje”, ishin fjalët e ish-trajnerit të katalanasve që ulet në stolin e skuadrës bavareze që në sezonin e ardhshëm.
Ai ka komentuar edhe ndeshjen e mbrëmshme mes Real Madrid dhe Borusia Dortmund, duke e cilësuar atë si mjaft emocionuese deri në sekondën e fundit.
“Jam një tifoz i madh futbolli dhe e pashë atë ndeshje pasi ndoqa edhe taktikat që përdorën dy skuadrat… ishte një ndeshje shumë emocionuese. Rezultati në ndeshjen e parë ishte i thellë, por me Real Madrid, në “Santiago Bernabeu”, nuk mund të thuash kurrë se ka mbaruar gjithçka deri në momentin kur gjyqtari vërshëllen për fundin e ndeshjes. Këtë e them nga eksperienca personale”, deklaroi Guardiola.
“Mendoj se këtë vit futbolli gjerman ka qenë shumë interesant. Por futbolli spanjoll, falë personave si Luis Aragones dhe Vicente Del Boske, ka arritur nivele shumë të larta”, tha ai, duke kundërshtuar opinionin se tashmë futbolli spanjoll nuk duhej cilësuar më si elita e futbollit evropian. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 01 May 2013 15:41