Futbollistët e Bajern Mynih e dinë shumë mirë se fitorja 4-0 e ndeshjes së parë nuk mjafton për të garantuar kalimin në finalen e Ligës së Kampioneve, pasi do të duhet mbrojtur ky rezultat në një sfidë shumë të vështirë në “Kamp Nou”.
“E dimë që do të përballemi me një skuadër që do të japë 100% të mundësive të saj dhe nuk na lejohet një rënie përqendrimi”, tha Tomas Myler, autori i një dygolëshi në sfidën e parë. “Të jeni të sigurt se përballë do të jemi një Lionel Mesi tjetër nga ai i ndeshjes së parë. Por ne jemi një grup i madh në të cilin 11 lojtarët punojnë gjithmonë për skuadrën”.
Edhe Bastian Shvajnshtajger është i ndërgjegjshëm për vështirësinë e kësaj sfide, ndonëse është optimist se bavarezët do të kalojnë përsëri në finale.
“Kemi ardhur këtu që t’i shkojmë deri në fund turneut. Kemi derën e hapur për në finale falë rezultatit të ndeshjes së parë, por nuk kemi përfunduar, kemi ende punë për të bërë. Për të kaluar turin, sidomos ndaj Barcelonës, duhet të djersitim dhe të impenjohemi deri në fund. Të gjithë ëndërrojmë të shkojmë përsëri në finale”, tha mesfushori bavarez. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 30 April 2013 19:16