Gjyqi i Eufemiano Fuentes ka marrë një kthesë të papritur nga të gjithë, kur trupi gjykues ka vendosur që të gjitha provat kundër “doktorit të dopingut” duhen shkatërruar. Mjeku spanjoll, i cili njihet sepse ka furnizuar me gjak të pasuruar me substanca të palejuara çiklistët më të njohur në botë, sot u dënua me një vit burg të pezulluar, që do të thotë se nuk do të bëjë asnjë sekondë në qeli për sa kohë që nuk bën shkelje të tjera të të njëjtit lloj.
Por është cilësuar më skandaloz vendimi i dytë se të 211 qeset e gjakut të 35 personave të ndryshëm, të konfiskuara në laboratorin e tij në vitin 2006 gjatë operacionit “Puerto”, duhen shkatërruar. Gjykatësi ka refuzuar kërkesën e organizatave antidoping ndërkombëtare për të njohur identitetin e këtyre 35 personave, ndaj ka urdhëruar shkatërrimin e menjëhershëm të këtyre provave.
Por organizatat antidoping në Spanjë kanë bërë të ditur se do të apelojnë këtë vendim jo vetëm në gjyqin civil në Spanjë, por do ta çojnë çështjen në gjyqet ndërkombëtare, të mbështetur edhe nga WADA, e cila kërkon të dijë se kush janë këta sportistë të përfshirë, ashtu si edhe ata, emrat e të cilëve figurojnë në shumë dokumente të sekuestruar në laboratorin e Fuentes. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 30 April 2013 19:13