Të fitosh me 5 gola diferencë një ndeshje gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve nuk duket si një objektiv i realizueshëm, sidomos kur përballë ke një skuadër të një cilësie të jashtëzakonshme si Bajern Mynih. Por mbrojtësi i Barcelonës, Zherard Pike, beson se katalanasit mund të kthejnë rezultatin 4-0 të sfidës së parë dhe të shkojnë në finalen e “Uemblit”.
“Skuadra ndjehet mirë dhe do të bëjmë maksimumin për të kaluar turin. Është shumë e komplikuar kur nisesh nga një rezultat i tillë, por ne jemi e vetmja skuadër që mund t’i përmbysë një 4-0 Bajernit. Mund të mposhtim këdo, por duhet të jemi vetvetja, tani më shumë se kurrë”, ishte mesazhi mëse optimist i Pike para kësaj sfide.
“Ne jemi Barça, përfaqësojmë një klub që ka fituar shumë dhe ka një histori të madhe pas shpatullave. Më shumë se një herë kemi treguar se çfarë jemi në gjendje të bëjmë, diçka që do të mbetet, pavarësisht asaj që ndodh në këtë ndeshje”.
Të njëjtin mesazh optimist e ka dhënë edhe Tito Vilanova, i cili ashtu si mbrojtësi mendon se skuadra e tij është në gjendje të bëjë një ndeshje të madhe.
“Pres që ekipi im të luajë siç di. Duhet të shënojmë shumë gola dhe të bëjmë një futboll të bukur. Nuk mund të dorëzohemi, edhe pse Bajerni ka një avantazh të ndjeshëm”. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 30 April 2013 19:10