Shalke ka arritur të mbrojë vendin e katërt në renditjen e Bundesligës me një fitore të pastër 4-1 ndaj rivalëve direkt të Hamburgut, duke ruajtur këtë pozicion që siguron pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm.
Skuadra nga Gelsenkirshen duket se ka lënë prapa problemet e mëdha të fillimit të sezonit dhe tani ka vënë si objektiv minimal që në javët e fundit të mbrojë këtë pozicion prestigjioz dhe që garanton të ardhura të rëndësishme ekonomike për arkat e klubit.
Fitorja ndaj Hamburgut ka ardhur edhe falë kthimit në formën më të mirë të Klas Jan Huntelar, i cili ka vuajtur nga dëmtimet e njëpasnjëshme në këtë sezon. Sulmuesi holandez shënoi tre gola në këtë sfidë, duke ndihmuar skuadrën e tij të përmbyste avantazhin fillestar të miqve me Jansen.
Tani Shalke ka arritur kuotën e 49 pikëve në renditje, ndërsa ndjekësi më i afërt është Eintraht Frankfurt me 3 pikë më pak, skuadër që sot barazoi 0-0 në fushën e Mainc. (LajmeShqip.com)
Sunday, 28 April 2013 20:12