Xherdan Shaqiri ka shkruar emrin e tij në listën e golashënuesve edhe në ndeshjen e fundit të bavarezëve në fushën e këtyre për këtë sezon, gjatë fitores 3-0 ndaj Augsburgut, ku ata kanë zhvilluar edhe ceremoninë e festimit të titullit të 23-të kampion.
Në derbin bavarez ndaj Augsburgut, kampionët e Gjermanisë kanë treguar forcën e tyre dhe kanë festuar në mënyrën më të mirë të mundshme, pasi kanë dominuar dhe kanë mbyllur ndeshjen falë golave në pjesën e dytë të Myler, Shaqirit e Luiz Gustavos, ku këta dy të fundit e kanë filluar ndeshjen si zëvendësues. Pas fitores ka filluar edhe festa e titullit kampion, me një ceremoni bavareze, ku ishin të pranishëm edhe disa nga legjendat e klubit, ndërsa tifozët kanë përshëndetur në kor trajnerin Heinkes, i cili do të largohet në fund të sezonit.
Por shumë nga verdiktet e kampionatit do të mbeten për t’u përcaktuar në javën e fundit. Humbja e Shalke, e kombinuar me fitoren e Fraiburg, ka bërë që gjithçka të mbetet e hapur për kualifikimin në vendin e katërt në renditje që të çon në Ligën e Kampioneve. Shalke ka 52 pikë, me Fraiburg që e ndjek me një pikë diferencë dhe për më tepër pret Shalken në fushën e vet në javën e fundit. Por të dy skuadrat duhet të kenë kujdes nga Eintraht Frankfurt që i ndjek me një pikë më pak dhe mund të bëjë surprizën, pasi është plotësisht në luftë për vendin e tretë.
Për t’u caktuar mbetet edhe emri i skuadrës që do të shkojë në playoff për rënien nga kategoria, pasi Augsburg dhe Fortuna Dyseldorf janë në një kuotë të barabartë pikësh, 30 të tilla. Të dyja skuadrat shpresojnë të fitojnë në javën e fundit për të evituar probleme me këtë ndeshje mbijetese, ashtu si Hofenhaim që ka 2 pikë më pak, por që synon të ngjitë të paktën një vend, pasi aktualisht është i parafundit, kandidat për të rënë automatikisht në Bundesliga 2. (LajmeShqip.com)
Bundesliga
Java 33 / Rezultatet
Bajern Mynih-Augsburg 3-0
69’ Myler, 82’ Shaqiri, 87’ Luiz Gustavo
Shalke-Shtutgart 1-2
90’+2’ (ag) Ulreish / 24’, 66’ Ibisheviç
Bajer Leverkusen-Hanover 3-1
6’, 59’ Hegler, 28’ Kisling / 71’ Sobieç
Volfsburg-Borusia Dortmund 3-3
13’, 23’ Perisiç, 26’ Naldo / 5’ S. Bender, 84’, 88’ Rois
Verder Bremen-Eintraht Frankfurt 1-1
22’ De Bryn / 51’ Lakiç
Hofenhaim-Hamburg 1-4
61’ Volland / 18’ Son, 35’ Aogo, 60’ Jiraçek, 88’ Rudnevs
Mainz-Borusia Mynshengladbah 2-4
12’ Parker, 90’ Ivanshitz / 39’ (p), 59’, 80’ Hrgota, 64’ Hanke
Grojter Fyrth-Fraiburg 1-2
3’ Zimerman / 69’ Shmidt, 78’ Kruse
Fortuna Dyseldorf-Nyremberg 1-2
22’ (ag) Balitsh / 58’ Mak, 64’ Platenhardt
Klasifikimi: Bajern Mynih 88 pikë, Borusia Dortmund 66, Bajer Leverkusen 62, Shalke 52, Fraiburg 51 Eintraht Frankfurt 50, Hamburg 48, Borusia Mynshengladbah 47, Hanover 42, Volfsburg 42, Shtutgart 42, Mainz 41, Nyremberg 41, Verder Bremen 34, Fortuna Dyseldorf 30, Augsburg 30, Hofenhaim 28, Grojter Fyrth.21.
Saturday, 11 May 2013 19:04