Napoli ecën gjithnjë e më shumë drejt një tjetër pjesëmarrje në Ligën e Kampioneve, pasi ka arritur të blindojë vendin e dytë me suksesin 3-2 ndaj Kaljarit në një ndeshje me shumë emocione, deri në sekondat e fundit.
Të dy skuadrat kanë luajtur në sulm, duke krijuar raste dhe shënuar gola., por kur gjithçka po i drejtohej vërshëllimës përfundimtare, rezultati ishte 2-2, me autogolin e Astori dhe golin e Kavani për napolitanët, dhe golat e Ibarbo e Sau për sardët. Por një gjuajtje e devijuar e Insinje në minutën e 93-të bëri diferencën mes dy skuadrave, duke i dhënë napolitanëve suksesin 3-2 që i afron me objektivin e pjesëmarrjes në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm.
Pas krahëve të tyre, përveç Milanit gjendet edhe Fiorentina, që po tregon një formë të mirë në këto javë. Edhe skuadra e Firences ka arritur të fitojë në këtë javë, duke marrë një sukses 4-3 ndaj Torinos, për të mbajtur gjallë shpresat që të kalojë pikërisht Milanin në javët e mbetura të kampionatit.
Një fitore mjaft e rëndësishme për moralin ka ardhur edhe nga Interi, që i është falur golit të Tomaso Rokit në minutat e fundit për të kaluar Parmën në takimin e luajtur në një “San Siro” gjithnjë e më të boshatisur nga tifozët zikaltër, të cilët edhe në këtë ndeshje kanë protestuar kundër drejtuesve të klubit për këtë sezon të dështuar. (LajmeShqip.com)
Seria A
Java 33 / Rezultatet
Inter-Parma 1-0
81’ Roki
Napoli-Kaljari 3-2
48’ (ag) Astori, 64’ Kavani, 90’+3’ Insinje / 18’ Ibarbo, 71’ Sau
Siena-Kievo 0-1
45’ Pelisier
Katania-Palermo 1-1
69’ Barrientos / 90’ Iliçiç
Roma-Peskara 1-1
51’ Destro / 14’ Kaprari
Bolonja-Sampdoria 1-1
23’ Xhilardino / 59’ Sansone
Fiorentina-Torino 4-3
8’ Kuadrado, 16’ Akuilani, 33’ Ljajiç, 86’ Romulo / 45’ Barreto, 56’ Santana, 77’ Çerçi
Klasifikimi: Juventus 74 pikë, Napoli 66, Milan 59, Fiorentina 58, Inter 53, Roma 52, Udineze 51, Lacio 51, Katania 48, Kaljari 42, Bolonja 39, Parma 39, Kievo 39, Sampdoria 38, Atalanta 38, Torino 36, Siena 30, Palermo 29, Xhenoa 29, Peskara 22.
Sunday, 21 April 2013 19:31