Një trajner futbolli në Kroaci është bërë protagonist i një incidenti mjaft të veçantë që i ka shkaktuar edhe shkarkimin nga puna. Jozo Gaspar u shkarkua nga detyra e tij si trajner i NK Preçko Zagreb pasi i vodhi një futbollisti kartën e kreditit për të blerë 36 litra Jagermeister.
Klubi nuk kishte shpjeguar gjatë kësaj periudhe arsyen e vërtetë të shkarkimit të trajnerit, por sipas shtypit kroat, vetë trajneri ka pranuar se kishte vjedhur kartën e kreditit nga dhomat e zhveshjes së FC Sparka Elektra, e cila përdor të njëjtin kompleks për stërvitje me ekipin Preçko.
Sipas rikonstruksionit të ngjarjes, Gaspar është larguar dhe ka përdorur kartën e kreditit për të blerë 36 litra të kësaj pije të fortë alkoolike, duke harxhuar rreth 500 euro.
Ai u zbulua nga kamerat në supermarket ku po paguante për shishet e blera, ndërsa disa orë më vonë kishte bërë një tentativë tjetër për të blerë edhe 10 litra të kësaj pije. Por tentativa e dytë kishte qenë pa sukses, pasi në kartë nuk kishte pasur më fonde për të “financuar” blerjen e pijes së tij të preferuar. (LajmeShqip.com)
Thursday, 18 April 2013 10:15