Pyetjet rreth Pep Guardiolës vazhdojnë të shqetësojnë Jup Heinkes, që nga momenti kur shorti i vuri para Bajernit të tij emrin e skuadrës së Barcelonës në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve. Ndaj trajneri gjerman ka vendosur tashmë të përdorë ironinë e tij për t’iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve nëse do të pranojë këshilla nga ish-trajneri i katalanasve, i cili sezonin e ardhshëm do të zërë vendin e tij në stolin e Bajernit.
“Pep nuk mund të zbulojë detaje rreth Barcelonës për shkak të respektit ndaj ish-klubit të tij. Por mua nuk më shqetëson një gjë e tillë. E njoh mirë futbollin spanjoll dhe Barcelonën. Nëse do të ishte e nevojshme t’i telefonoja ndokujt, atëherë do të zgjidhja Krujf, pasi ai e shpiku sistemin e lojës së Barçës”, ishte përgjigja ironike e trajnerit gjerman.
Ai ka kritikuar ashpër edhe presidentin e nderit të klubit bavarez, Franc Bekenbauer, i cili në ditët e fundit i kishte bërë thirrje që të kontaktonte me Guardiolën për t’i marrë këshilla. “Nuk e kuptoj sesi një ish-lojtar dhe ish-trajner mund ta thotë një gjë të tillë”, ishte reagimi i Heinkes ndaj fjalëve të “Kaizerit”. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 16 April 2013 10:03