Drejtori sportiv i Barcelonës, Andoni Zubizarreta, është i bindur se Pep Guardiola nuk do të vuajë ndërsa do të shohë ndeshjen gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve mes Barcelonës dhe Bajern Mynih. Sipas drejtuesit të katalanasve, Guardiola është një adhurues i futbollit ndaj do të jetë i lumtur që sheh një përballje gjigantësh.
“Sfida me Bajernin është futbolli në fazën e tij më të pastër. Kjo është një eliminatore mes dy skuadrave që kanë zgjidhje si individuale, ashtu edhe kolektive. Nuk kishte kundërshtarë të lehtë ndaj mendojmë se ishte një short i mirë. Guardiolën do ta lëmë të qetë, ai është në Nju Jork por nuk di të them nëse është duke u përgatitur që tani për sezonin tjetër. Kjo është një sfidë mes dy skuadrave aktuale, ndaj është mirë të lëmë jashtë ata që nuk janë pjesë e tyre. Pep na ka ndihmuar gjithmonë kur ka qenë pranë nesh. Por jam i bindur se ai do t’i gëzohet kësaj sfide dhe nuk do të vuajë nga ajo”, u shpreh Zubizarreta.
Drejtuesi i Barcelonës më pas shtoi se i rëndësishëm në këtë moment ishte fakti se skuadra mund të luajë edhe pa Mesin, siç e tregoi ndaj Real Saragozës.
“Mund të shfrytëzojmë më pak Mesin, pasi është e vërtetë që kemi burime të tjera për të gjetur rrjetën. Çesk mund të luajë si “9 e fshehtë” me dy lojtarë nga krahët, Tejo është në formë të mirë dhe Aleksis ka fituar përsëri besim. Ndaj them se kemi bërë një ndeshje të madhe edhe pa Mesin”. (LajmeShqip.com)
Monday, 15 April 2013 09:57