Zhoze Murinjo mendon se ndeshja e Ligës së Kampioneve kundër Gallatasarajit nuk është e thjeshtë, ndonëse skuadra e tij cilësohet favorite për të kaluar turin përballë ekipit turk. Mendimi i tij merr shkas nga prania në këtë skuadër e shumë lojtarëve të mirë, duke filluar nga dy emra që i njeh nga afër.
“Kjo skuadër ndjek një kulturë në të cilën të luash futboll është art. Drogba e Shnajder janë dy lojtarë që më kanë dhënë shumë dhe tani që nuk janë lojtarë të mi, janë miq të mi dhe do të jenë kështu gjithmonë”.
“Do të jetë një ndeshje e komplikuar. Kjo është një skuadër e cila ka një trajner të madh, me eksperiencë në ndeshje të këtij niveli. Ai do të organizojë skuadrën e tij për të mbrojtur, për të punuar dhe për të arritur një rezultat të madh. Kanë lojtarë që kanë luajtur në shumë skuadra evropiane dhe ka para tre futbollistë që nuk kanë nevojë për koment: Drogba, Shnajder dhe Jilmaz, që mund të luajnë në çdo ekip në botë”, ishin elozhet e Murinjos për kundërshtarin që do të ketë nesër përballë.
“Por ne do të luajmë me shumë motivim. E dimë cilin klub dhe cilën histori po mbrojmë. Nëntë Liga Kampionesh janë shumë. Nuk ka krizë sulmuesish. Nuk është e rëndësishme se kush shënon apo jo, kemi dy numra 9 që të gjithë i njohin çfarë cilësish kanë. Nuk më pëlqejnë as manifestimet në mbështetjen time. Dua që tifozët të mbështetin ekipin në fushë të mërkurën”, ishte apeli i trajnerit portugez. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 02 April 2013 19:06