Oskar Pistorius, atleti paralimpik që bëri bujë në kronikën e zezë pasi vrau me armë zjarri të dashurën e tij, Riva Stenkamp, mund të marrë pjesë në Kampionatin Botëror që zhvillohet në këtë verë, pasi një gjykatë në Afrikën e Jugut ndryshoi vendimin e lirimit të tij me kusht para fillimit të gjyqit të mirëfilltë.
Avokatët përfaqësues të atletit siguruan këtë leje të veçantë në mënyrë që ai të vazhdonte të garonte për sa kohë që nuk është shpallur ende fajtor, në pritje të gjyqit. Atleti paralimpik 26 vjeçar është liruar me kusht pasi u akuzua për vrasje me paramendim të Stenkamp, të cilën e qëlloi me armë zjarri brenda vilës së tij në Pretoria në mëngjesin e Shën Valentinit.
“Duke u bazuar në këtë vendim të gjykatës dhe nëse ai është i gatshëm të bëjë një gjë të tillë duke filluar nga kualifikueset, Pistorius mund të marrë pjesë në Kampionatin Botëror që zhvillohet në Moskë në muajin gusht”, tha menaxheri i atletit, Pit Van Zyl, para gazetarëve. “Por do të jetë në dorën e tij të vendosë nëse do të garojë apo jo. Ai ka gjithë trysninë mbi të, pa harruar vuajtjen që i ka shkaktuar kjo tragjedi”.
Gjykatësi ka ndryshuar edhe tre pika të tjera të lirisë me kusht pasi tashmë Pistorius nuk ka nevojë të ndiqet hap pas hapi nga një agjent policie, rifiton të drejtën e konsumimit të alkoolit ndërsa është hedhur poshtë edhe pretendimi se ai do të shkelte lirinë me kusht nëse akuzohej për një tjetër krim ndaj grave. (LajmeShqip.com)
Thursday, 28 March 2013 18:01