Usain Bolt ka fituar për herë të tretë çmimin “Lauereus” si sportisti i vitit, në ceremoninë që është zhvilluar në Rio De Zhaneiro të Brazilit, për të nderuar sportistët elitarë të vitit që kaloi.
“Sportisti i Vitit 2012” u shpall pikërisht sprinteri xhamajkan, pas sukseseve të tij të jashtëzakonshme në Lojërat Olimpike ku u konfirmua si kampioni i padiskutueshëm i garave të 100 dhe 200 metrave. Ai mundi një konkurrencë shumë të fortë që përbëhej nga emra si Lionel Mesi, Majkëll Felps, Sebastian Vetel, Bredli Uigins e Mo Farah. Notari Majkëll Felps ishte pretendent kryesor për të fituar këtë çmim, por ai u largua nga ceremonia vetëm me një çmim të veçantë që iu dha nga Akademia Laureus për karrierën e tij të shkëlqyer.
Britanikja Xhesika Enis, fituese e medaljes së artë në Londër 2012 në garën e heptatlonit, mori çmimin si “Sportistja e vitit”, duke mundur Elison Feliks, Misi Frenklin, Lindsi Von, Shelli-En Freiser-Prajs dhe Serena Uilliams.
Çmimi për zbulimin e vitit i shkoi Endi Marrei, ndërsa skuadra e vitit u shpall ekipi evropian i golfit në “Ryder Cup” që shënoi një përmbysje spektakolare kundër atij amerikan në aktivitetin e përvitshëm. Një çmim i veçantë u dha edhe për Feliks Baumgartner, për hedhjen e tij nga lartësia duke thyer disa rekorde botërore të sporteve ekstreme. (LajmeShqip.com)
Çmimet Laureus 2012
Sportisti më i mirë i vitit: Usain Bolt.
Sportistja më e mirë e vitit: Xhesika Enis
Ekipi sportiv më i mirë i vitit: Ekipi evropian i “Ryder Cup”
Zbulimi i vitit: Endi Marrei
Kthimi i vitit: Feliks Sançez
Sportisti më i mirë paralaimpik i vitit: Daniel Dias
Sportisti i vitit në sportet ekstreme: Feliks Baumgartner
Tuesday, 12 March 2013 10:08