Milani ka arritur të marrë tri pikët që i nevojiteshin në sfidën me Xhenoan duke fituar 2-0 dhe duke mbrojtur vendin e tretë në renditjen e Serisë A, para sfidës vendimtare me Barcelonën në Ligën e Kampioneve. Ndonëse kuqezinjtë nuk kanë shkëlqyer, ata kanë arritur të gjejnë dy herë rrjetën me Pacinin e Balotelin në secilën pjesë loje, edhe pse duhet thënë se gjyqtari është treguar bujar me ta duke mos akorduar penallti për ekipin vendas në pjesën e parë.
Pacini kaloi në avantazh Milanin dhe u zëvendësua menjëherë dy minuta më vonë, për shkak të një dëmtimi të marrë në kavilje që i rrezikon atij ndeshjen me Barcelonën në mesjavë. Në disavantazh, Xhenoa luan më mirë dhe krijon më shumë, ndërsa gjyqtari Damato i mohon dy herë penallti, fillimisht për prekje të topit me dorë në zonë të Niang e më pas për një shtyrje të fortë në zonë të të njëjtit lojtar ndaj Grankvist.
Kur në fillimin e pjesës së dytë, Bovo godet edhe shtyllën, atëherë duket qartë se kuqezinjtë kanë gjetur natën me fat kur edhe pa shkëlqyer do të merrnin rezultat. Kjo vërtetohet pak minuta më vonë kur Baloteli, i aktivizuar në vend të Pacinit, gjen golin e dytë. As kartoni i kuq i Konstant që lë në inferioritet numerik Milanin, nuk shqetëson shumë kuqezinjtë që kthehet në mbrojtje dhe mbyllin pa vështirësi ndeshjen.
Tani skuadra e Alegrit është e shkëputur katër pikë nga ndjekësit në vendin e tretë në renditjen e kampionatit dhe presin më të qetë mesjavën ku do të përcaktohet një pjesë e rëndësishme e sezonit në sfidën e Ligës së Kampioneve ndaj Barcelonës. (LajmeShqip.com)
Friday, 08 March 2013 23:05