Atletiko Madrid është finalistja tjetër e Kupës së Mbretit në Spanjë, pas barazimit 2-2 në fushën e Seviljes që i ka dhënë mundësi të vihet në finalen e majit përballë Real Madrid.
Skuadra e drejtuar nga Diego Simeone kishte fituar 2-1 në takimin e parë në fushën e vet, ndërsa e filloi mirë edhe ndeshjen e kthimit me një gol të Diego Kosta në minutën e 6-të. Madrilenët gjetën edhe golin e dytë në minutën e 29-të, me autor Radamel Falkaon, duke bërë që sfida të ishte thuajse e mbyllur, pasi tashmë Seviljes i duheshin 4 gola për ta kaluar turin.
Ndonëse Hesus Navas dhe Ivan Raktiç gjetën rrugën e rrjetës për të barazuar rezultatin, ai nuk shërbeu më shumë se një ngushëllim për statistikat dhe Atletiko Madrid kaloi në finalen e Kupës së Mbretit.
Kjo do të jetë hera e 5-të që në finalen e këtij turneu luhet një derbi i Madridit, ndërsa katër përballjet e mëparshme flasin për dominimin e Atletikos përballë Realit. Atletiko ka fituar 3 herë, në vitet 1960, 1961 dhe 1992, ndërsa në të tre rastet, takimet janë zhvilluar në “Santiago Bernabeu”. Në herën e vetme kur Reali ka triumfuar në derbin e finales së Kupës, në vitin 1975, ndeshja u luajt në “Vicente Kalderon”. (LajmeShqip.com)
Thursday, 28 February 2013 10:05