Zhoze Murinjo nuk ka ngurruar ta cilësojë sezonin e sapopërfunduar si atë më të keqin e karrierës së tij si trajner, ku përveç Superkupës së Spanjës, nuk arriti të merrte asgjë tjetër në drejtimin e Real Madrid.
“Karriera ime zgjat prej shumë vitesh por unë nuk njoh asnjë, sado i mirë që të jetë, që ka kaluar gjithmonë sezone fantastike duke fituar gjithçka. Por ky është sezoni më i keq i karrierës time, me një trofe që nuk mjafton për të më kënaqur mua apo Real Madrid. Për shumë trajnerë ky mund të cilësohet një sezon i mirë, por jo për mua”, ishin fjalët e Murinjos.
Portugezi, i cili u shfaq para mediave në fund të ndeshjes, ka treguara bindjen e tij se skuadra kishte merituar më shumë të fitonte këtë ndeshje sesa Atletiko Madrid.
“Kur rezultati është 1-1 dhe një skuadër godet tre herë shtyllën, nuk është shumë normale, zakonisht një nga gjuajtjet përfundon në rrjetë dhe ti fiton ndeshjen. Duhej të kishim fituar brenda 90 minutave por kjo gjë nuk ndodhi. Në shtesë ata shënuan ndërsa ne krijuam dy raste, ndaj mendoj se e meritonim ne të fitonim. Por në fund gjithçka do të harrohet, harrohet gjyqtari, harrohen shtyllat, mbetet historia dhe fakti që fitues është Atletiko”, deklaroi Murinjo që më pas e pranoi se ky sezon kishte qenë i dështuar.
Largimi i portugezit nga madrilenët është bërë edhe më i qartë nga vetë ai, duke i cilësuar normale zërat për transferimin te Çelsi.
“Kam kontratë edhe për tre sezone të tjera. Por nuk kam folur për të ardhmen me presidentin. Më duket normale që flitet për Ançelotin, ashtu si edhe për faktin se mund të shkoj te Çelsi. Ajo që mund t’ju premtoj është ndershmëria dhe mund t’ju them se nuk do të pres fundin e sezonit për të treguar se çfarë do të ndodhë”.
Pas përfundimit të kësaj konference për shtyp ka ndodhur edhe një episod i vogël mjaft interesant, pasi sipas mediave spanjolle, portugezi i është drejtuar dhomës së gjyqtarëve dhe pasi ka takuar kryesorin Klos Gomez, i ka thënë atij që të shkonte të festonte Kupën bashkë me Atletikon që në ato momente po bënte xhiron triumfuese në fushë.
Për më tepër, mediat spanjolle kanë kritikuar vendimin e Murinjos dhe Kristiano Ronaldos për të mos u kthyer në fushë për të marrë medaljet e vendit të dytë gjatë ceremonisë. (LajmeShqip.com)
Saturday, 18 May 2013 09:24