Skuadra e Suonsi ka arritur të hyjë në historinë e futbollit britanik duke fituar për herë të parë në historinë e klubit Kupën e Ligës, falë suksesit 5-0 në finalen ndaj Bredford, skuadrës së kategorisë së katërt që ishte surpriza e vërtetë e këtij turneu.
Uellsianët e drejtuar nga Majkëll Laudrup kanë dominuar ndeshjen që nga minuta e parë. Natan Daier dhe Miçu shënuan në pjesën e parë, ndërsa në pjesën e dytë ishin përsëri Daier dhe dy gola të De Guzman që vulosën këtë ndeshje.
I veçantë është fakti që mes Daier, i shpallur “Lojtari i Ndeshjes” dhe De Guzman ka pasur një zënkë në fushën e lojës gjatë këtij takimi për gjuajtjen e penalltisë që solli golin e katërt të kësaj ndeshje në minutën e 59. Daier kërkonte të gjuante ai penalltinë, në vend të De Guzman që është gjuajtësi i parë për skuadrën uellsiane, pasi dëshironte të shënonte tre gola në këtë sfidë, për të mbajtur kujtim topin e ndeshjes historike të ekipit të tij, siç është tradita për ata që shënojnë tre gola në një ndeshje. (LajmeShqip.com)
Monday, 25 February 2013 09:42