Nëse Barak Obama do të vendosë të largohet nga bota e politikës, ai mund t’i hyjë botës së golfit, pasi mund të ketë sukses në këtë sport. Ky është mendimi i Tajger Uds, i cili ka vlerësuar “sportistin” Obama, përkrah të cilit ka kaluar një fundjavë në një nga klubet e golfit më të famshme në Florida.
“Të luaja me presidentin ishte fantastike, ai është një person fantastik, një sportist mjaft i mirë. Gjuan mirë me të majtën, edhe pse nuk luajtëm në kushte të përshtatshme. Kishte shumë erë dhe bënte ftohtë. Por ai ka një prekje të jashtëzakonshme. Nëse pas këtyre katër viteve do të ketë mundësinë të luajë më shumë, do të paraqitet shumë mirë”, ishte komenti i Uds për presidentin e SHBA.
Uds dhe Obama kanë formuar një dyshe mjaft të veçantë në këtë fundjavë, ku janë vënë përballë Ron Kërk, një nga përfaqësuesit e Dhomës së Tregtisë në SHBA, si dhe pronarit të këtij klubi golfi, Xhim Krein, i cili është njëkohësisht një nga donatorët më të mëdhenj të fushatës elektorale të presidentit amerikan. (LajmeShqip.com)
Thursday, 21 February 2013 09:12