Presidenti i SHBA, Barak Obama, ka zgjedhur një “mësues” pak si shumë të veçantë golfi, pasi ka kaluar një të diel pushim duke marrë leksione në këtë sport nga sportisti i famshëm Tajger Uds.
Ish-numri 1 i botës thuajse ishte zhdukur nga jeta sociale “VIP”, pas problemeve në vitin 2009, që sollën edhe ndarjen nga gruaja e tij të cilën u zbulua se e kishte tradhtuar rregullisht. Por duket se ai tashmë është rehabilituar në sytë e opinionit publik, aq sa ka fituar edhe të drejtën që të kalojë një fundjavë në fushat e golfit bashkë me presidentin e SHBA, një person mjaft i dhënë pas këtij sporti.
Obama kishte udhëtuar drejt Floridas ku ka qëndruar për tre ditë në një nga klubet me të njohura të golfit në SHBA, ndërsa ka pasur si të ftuar nderi pikërisht Uds dhe ish trajnerin e tij, Butç Harmon. Ky i fundit i ka dhënë leksione private gjatë të shtunës, ndërsa të dielën ishte radha e ndeshjes me ish-numrin 1 të botës.
Sipas asaj që raportojnë mediat amerikane, Uds ka pasur si detyrë të tregojë maksimumin e tij para presidentit të SHBA, për t’i treguar se si luhet golfi profesionist dhe e ka bërë më së miri një gjë të tillë duke arritur të shënojë me një gjuajtje nga distanca kur gjendej në pjesën me rërë që në gropën e parë të cirkuitit. (LajmeShqip.com)
Monday, 18 February 2013 17:07