Mario Baloteli po tregohet gjithnjë e më shumë vendimtar për Milanin me golat e tij, duke bërë që drejtuesit e kësaj skuadre të mos pendohen për shumën që kanë paguar për ta transferuar nga Anglia. Ish-sulmuesi i Mançester Sitit ka shënuar sot golin e tij të katërt në tre ndeshjet që është aktivizuar me skuadrën e re, ndërsa i ka dhënë tri pikë të tjera të vlefshme skuadrës së tij në fitoren 2-1 ndaj Parmës.
Në takimin e luajtur në “San Siro”, përballë një skuadre mjaft në formë, Milani ka arritur të dominojë në lojë, por pa arritur të gjejë rrugën e rrjetës. Por ndihma i ka ardhur pikërisht nga lojtarët kundërshtarë pasi ka qenë Paleta i cili në minutën e 39-të ka devijuar topin në portën e tij.
Për të mbyllur ndeshjen në pjesën e dytë ka menduar i zakonshmi Mario Baloteli, i cili këtë radhë ka shënuar me një goditje dënimi të shkëlqyer në minutën e 78-të, ndërsa goli i Sansone në minutën e 3-të shtesë të takimit ka shërbyer vetëm si ngushëllim për ekipin e Donadonit.
Me këtë sukses, Milani ngjitet përkohësisht në vendin e tretë në renditje, duke i vënë nën trysni si Lacion, ashtu edhe Interin, që kanë humbur diferencën e ndjeshme që kishin ndaj kuqezinjve deri pak javë më parë. (LajmeShqip.com)
Friday, 15 February 2013 23:00