Bajern Mynih ka vënë një dorë në titullin kampion të këtij sezoni në Bundesligë pas fitores së pastër 4-0 ndaj Shalkes, një prej ekipeve rivale të edicioneve të kaluara por që në këtë vit nuk po shfaqet në lartësinë e duhur.
Bavarezët kanë treguar dominimin e tyre edhe pse trajneri Heinkes kishte lënë në stolin e rezervave dy golashënuesit më të mirë të ekipit në këtë sezon, Mario Manxhukiç dhe Tomas Myler. Dy gola të Alaba dhe rrjetat e Shvajnshtajger dhe Gomez kanë treguar forcën e vërtetë të bavarezëve që në këtë sezon nuk njohin kundërshtarë.
Këtë fakt e kanë pranuar edhe kampionët e Borusia Dortmund, që me humbjen 1-4 në shtëpi përballë Hamburgut, kanë bërë të qartë se tashmë kanë mendjen vetëm te paraqitja e tyre në Ligën e Kampioneve. Me 15 pikë diferencë, kur kanë mbetur edhe 13 javë deri në fundin e kampionatit, duket e pamendueshme që kampionët në fuqi të arrijnë të rikuperojnë ndaj bavarezëve.
Nga gara për titullin është tërhequr edhe Bajer Leverkusen, që ka barazuar 3-3 në fushën e Borusia Mynshengladbah. Ashtu si Dortmund, edhe futbollistët e Bajer Leverkusen dukej qartë që e kishin mendjen te ndeshja e Europa League në mesjavë. Me këtë barazim, kjo skuadër është 1 pikë larg Borusia Dortmund, plot 16 nga Bajerni që ecën më i qetë se kurrë drejt titullit kampion. (LajmeShqip.com)
Bundesliga
Java 21 / Rezultatet
Borusia Dortmund-Hamburg 1-4
17’ Levandovski / 18’, 62’ Rudnevs, 26’, 89’ Heung-Min Son
B. Mynshengladbah-B. Leverkusen 3-3
44’ Stranzl, 58’ De Jong, 86’ Herrman / 52’ Sam, 60’ Kisling, 64’ Shurle
Shtutgart-Verder Bremen 1-4
50’ Traore / 34’, 74’ Ekiçi, 61’ Hunt, 90’ De Bryn
Hanover-Hofenhaim 1-0
8’ Diuf
Grojter Fyrth-Volfsburg 0-1
23’ Dost
Eintraht Frankfurt-Nyrenberg 0-0
Bajern Mynih-Shalke 4-0
19’ (p), 51’ Alaba, 32’ Shvajnshtajger, 63’ Gomez
Saturday, 09 February 2013 21:11