Interi i ri, që pritej të luftonte për titull në javët e mbetura të kampionatit, ka zhgënjyer në mënyrë të pabesueshme duke u mundur nga skuadra e fundit në renditje, Siena, me rezultatin 3-1.
Stramaçioni ka hedhur në fushën e lojës që nga minuta e parë Skeloto dhe Kuzmanoviç, dy blerjet e reja të skuadrës gjatë merakos së janarit, lojtarë që priteshin të ndihmonin skuadrën të bënte hopin cilësor, ashtu si edhe Kovaçiç në pjesën e dytë. Por të tre janë shfaqur shumë zhgënjyes, nën nivelin e kërkuar nga një skuadër si Interi dhe pretendimet e saj.
Pjesa e parë është vendimtare për fatet e ndeshjes, pasi Siena gjen dy herë golin me Emegara dhe Sestu, ndërsa Kasano barazoi përkohësisht rezultatin me një gjuajtje që gjen të papërgatitur portierin e vendasve. Por në minutën e 55-të, ndeshja e Interit praktikisht mbyllet nga kartoni i kuq i Kivu, i cili shkakton penallti, ndërsa Rosina nuk e ka të vështirë të mposhtë Handanoviç nga pika e bardhë.
Një tjetër humbje e papritur ishte ajo e Lacios 3-2 në fushën e Xhenoas, me kryeqytetasit që tashmë kanë humbur hapin e kreut dhe po luajnë më shumë për të ruajtur vendin e tretë dhe kualifikimin e mundshëm në Ligën e Kampioneve. Skuadra e Petkoviç u gjend në disvantazh të dyfishtë falë golave të Borrielo e Bertolaci, por Flokari e Mauri arritën të rivendosnin barazinë me golat e tyre në pjesën e dytë. Megjithatë, në minutën e 95-të, ekipi i drejtuar nga Balardini gjen golin e fitores me Rigoni dhe merr tri pikë shumë të vlefshme në luftën për të mos rënë nga kategoria. (LajmeShqip.com)
Seria A
Java 23 / Rezultatet
Kievo-Juventus 1-2
52’ Tero / 10’ Matri, 42’ Lihtshtajner
Palermo-Atalanta 1-2
83’ Nelson / 54’ Karmona, 72’ Denis
Peskara-Bolonja 2-3
30’ (p) Ueis, 45’ (p) D’ Agostino / 34’ (p) Diamanti, 50’ Xhilardino, 66’ Kone
Siena-Inter 3-1
21’ Emegara, 24’ Sestu, 55’ (p) Rosina / 22’ Kasano
Xhenoa-Lacio 3-2
17’ Borrielo, 22’ Bertolaci, 90+5’ Rigoni / 59’ Flokari, 82’ (p) Mauri
Fiorentina-Parma 2-0
27’ Toni, 50’ Jovetiç
Sunday, 03 February 2013 18:17