Juventusi është kthyer përsëri i vetëm në kreun e renditjes së kampionatit pas fitores 2-1 në transfertë ndaj Kievos. Ky ishte një sukses shumë i rëndësishëm i kampionëve të Italisë që janë shkëputur përsëri të vetëm në renditje, me 3 pikë diferencë nga Napoli i vendit të dytë.
Suksesi është meritë e një pjese të parë të shkëlqyer të skuadrës së drejtuar nga Antonio Konte, të dominuar plotësisht dhe me dy gola mjaft të bukur të Matri e Lihtshtajner.
Por në pjesën e dytë, Kievo arrin të shkurtojë diferencën me Tero dhe rrezikon disa herë portën e kampionëve që mendojnë më shumë si të mbrohen dhe ia arrijnë qëllimit deri në vërshëllimën përfundimtare të kësaj ndeshje.
Në radhët e Kievos, në stolin e rezervave ishte Samir Ujkani, blerja më e re e veronezëve, i cili me sa duket do të jetë fillimisht zëvendësues me skuadrën e tij të re, ku është huazuar deri në fund të këtij sezoni. (LajmeShqip.com)
Sunday, 03 February 2013 14:33