Doktori Eufemiano Fuentes, i akuzuar se ka organizuar një sistem dopingu në botën e çiklizmit për shumë vite me radhë, tha para trupit gjykues se lista e klientëve të tij përfshinte edhe sporte të tjera si futbolli, tenisi, atletika dhe boksi.
Fuentes dhe 4 të akuzuar të tjerë kanë dalë dje para gjyqit, plot 7 vite pasi policia spanjolle i konfiskoi në laboratorët e tyre disa çanta me steroide, pajisje për transfuzion gjaku dhe qese gjaku të gatshme për transfuzion ndaj atletëve, në atë që është quajtur “Operacioni Puerto” dhe cilësohet si më i madhi të gjitha kohëve.
Ky gjyq ka ngjallur interes të madh pasi pritet që Fuentes të tregojë emrat e personave të përfshirë, pasi dokumentet e gjetura në laboratorin e tij dhe në kompjuter janë të gjitha të koduara. Që në seancën e parë, UADA ka kërkuar nga gjykata që t’i jepet e drejta të shqyrtojë më në fund qeset e gjakut, për të përcaktuar nëpërmjet analizave se kujt i përkasin, pasi kështu mund të gjejnë se cilët janë ata sportistë të cilët kanë shfrytëzuar sistemin e Fuentes për të fituar.
Sipas mediave ndërkombëtare, Fuentes ka pranuar para gjykatës se klientët e tij vinin nga çdo lloj sporti, por kryesisht çiklizmi, ndërsa ka shpjeguar se transfuzionet kryheshin në hotele në mënyrë që klientët të mos përplaseshin me njëri-tjetrin, duke ruajtur anonimitetin. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 30 January 2013 10:59