Kejsi Stoner ka konfirmuar se këtë vit do të marrë pjesë në garat me mjete motorike, por me katër rrota e jo me dy. Dy herë kampioni i botës në MotoGP ka firmosur një kontratë njëvjeçare për të garuar me një “Triple 8 Holden Commodore” në kampionatin “V8 Supercar Development Series”.
Australiani 27 vjeçar kishte deklaruar një javë më parë se kjo marrëveshje nuk ekzistonte, por në fund ka pranuar se do të jetë pjesë e garave të këtij lloji gjatë vitit 2013.
“Ky është një vit prove për të parë si ecën dhe a më pëlqen ky sport”, tha Stoner për “Daily Telegraph” të Australisë. “Kam firmosur një marrëveshje dhe jam i përkushtuar, por jo një gjë afatgjatë pasi më parë dua të shoh a është një gjë që bën për mua apo jo”.
“Në fillim po mendoja të bëja 75% të garave, pro tani kam vendosur që të marr pjesë në të gjithë sezonin. Dua sa më shumë kohë që të mundem në dispozicion për të kuptuar se si është të drejtosh një makinë V8”.
Ndonëse ky është kampionati gjysmë-profesionist, Stoner është i ndërgjegjshëm që do të ishte për momentin shumë e vështirë për të që të kalonte në garat “V8 Supercar”. (LajmeShqip.com)
Sunday, 27 January 2013 10:52