Borusia Dortmund ka siguruar një fitore të thjeshtë 3-0 ndaj Nyrembergut në “Signal Iduna Park”, duke u ngjitur përkohësisht në vendin e dytë në renditjen e Bundesligës. Kampionët në fuqi të Gjermanisë siguruan tri pikët falë një paraqitje të mirë, të vulosur nga dygolëshi i Jakub Blaszczikovski në pjesën e parë dhe rrjeta e Robert Levandovski në fundin e ndeshjes.
Goli i avantazhit u shënua me penallti që në minutën e 18-të, ku Blaszczikovski nuk e kishte të vështirë të dërgonte topin në rrjetë. Vetëm 3 minuta më vonë, ai dyfishoi rezultatin pas një harkimi të Mario Gëtze, duke mbyllur praktikisht ndeshjen për skuadrën e tij, pasi kundër Nyremberg ishte edhe statistika e veçantë se ky ekip nuk ka fituar asnjë ndeshje kur ka qenë fillimisht në disavantazh, që nga marsi i viti 2011.
Dortmund dominoi edhe pjesën e dytë të takimit, ndonëse nuk krijoi shumë raste, ndërsa vetëm insistimi i Levandovskit solli golin e tretë të shënuar dy minuta para fundit të sfidës. (LajmeShqip.com)
Saturday, 26 January 2013 09:38