Ndonëse Kupa e Mbretit është kthyer në një aktivitet të rëndësishëm për Real Madrid në këtë sezon, skuadra e Murinjos duket qartë se po vuan të përsëritë gjërat e mira që bëri një sezon më parë. Madrilenët kanë mundur 2-0 Valencian në çerekfinalen e parë të Kupës së luajtur në “Santiago Bernabeu”, por për këtë sukses duhet të falënderojnë sulmuesin kundërshtar Xhonas që i fali me vazhdimësi duke gabuar raste të pabesueshme para portës.
Valencia kishte ardhur për të sulmuar në Madrid dhe e bëri më së miri një gjë të tillë, falë formës së shkëlqyer të argjentinasit Banega, i aftë të lëvizte pa vështirësi mes treshes Khedira-Ksabi Alonso-Modriç. Por Xhonas gabon disa herë para Kazijas dhe Benzema nuk fal nga ana tjetër, në minutën e 37-të të takimit, duke kaluar në avantazh skuadrën e tij. Valencia vazhdoi serinë e dhuratave edhe në pjesën e dytë, si rrjedhojë e të cilës erdhi edhe autogoli i Guardado në minutën e 73-të.
Por kjo ndeshje nuk do të kalojë pa polemika, për shkak të protestave të Valencias, e cila pretendon për gjykim të njëanshëm, pasi vijërojtësi ka gabuar dy herë në dëm të kësaj skuadre me pozicionet jashtë loje, ndërsa pretendohet edhe një prekje e topit me dorë në rastin e golit të dytë të madrilëneve.
Gjithsesi, ekipi i Murinjos shkon me një avantazh të rëndësishëm në ndeshjen e dytë në “Mestaja”, ku do të kërkojë medoemos kualifikimin në turin tjetër të këtij turneu që është kthyer çuditërisht në një nga objektivat kryesorë të ekipit. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 16 January 2013 00:07