Milani nuk ka arritur të përfitojë nga humbjet e Romës dhe Fiorentinës për të fituar terren ndaj tyre në renditjen e kampionatit, pasi është ndalur në barazim pa gola ndaj Sampdorias. Kuqezinjtë vinin me shumë optimizëm në sfidë, pas paraqitjes relativisht të mirë të ofruar në ndeshjen e mesjavës kundër Juventusit në Kupën e Italisë.
Por kuqezinjtë kanë treguar se vuajnë shumë kundër atyre që cilësohen skuadra të vogla dhe një gjë e tillë ka ndodhur edhe në pjesën e parë, ku vendasit kanë krijuar më shumë raste për t’u shënuar dhe kanë vënë në vështirësi prapavijën e Milanit.
Reagimi i skuadrës së Alegrit do të vinte në pjesën e dytë, por rasti më i mirë për t’u shënuar, gjuajtja e Boateng, u devijua para se të kalonte vijën fatale nga portieri Romero.
Si rrjedhojë, takimi u mbyll në barazim 0-0, me Milanin që u largua i pakënaqur nga fusha e lojës, pasi humbi mundësinë për të kaluar në renditje Romën dhe për t’iu afruar më shumë Fiorentinës, rivalë direkt për kualifikimin në zonën e Ligës së Kampioneve. (LajmeShqip.com)
Sunday, 13 January 2013 22:52