Seria A mund të cilësohet e hapur përsëri, pasi Juventusi nuk është më skuadra e pandalshme e javëve të para të kampionatit që krijoi diferencë me të gjithë ndjekësit. Bardhezinjtë kanë vazhduar paraqitjet e tyre mesatare, këtë radhë duke barazuar në fushën e Parmës dhe duke i dhënë mundësinë ndjekësve të tyre që të afrohen për të synuar kreun e renditjes.
Mungesat e lojtarëve të rëndësishëm si Kielini, Markisio e Asamoah, duket se po ndikojnë te Juventusi që si zakonisht, përballet në këtë pikë të sezonit me një moment aspak brilant. Këtë e ka treguar edhe ndeshja e Parmës, ku pas një pjese të parë mjaft të ekuilibruar, goli i avantazhit për kampionët e Italisë ka ardhur vetëm falë një goditje dënimi të Pirlos, të devijuar nga Biabiani. Por skuadra e Kontes nuk arrin të rishfaqë paraqitjet e sezonit të kaluar, kur arrinte të mbyllte ndeshje të tilla, ndërsa gjendet e papërgatitur në minutën e 78-të kur i riu Sansone, i sapoaktivizuar si zëvendësues, siglon barazimin me një kundërsulm të shpejtë.
Nga barazimi i juventinëve përfiton Lacio, që tashmë e sheh veten 3 pikë larg tyre, pas fitores 2-0 kundër Atalantës. Por kryeqytetasit janë bërë përsëri protagonistë të polemikave, pasi goli i parë i kësaj sfide, i shënuar nga Flokari, vjen pas një prekje të topit me dorë. Duhet theksuar se nnga fillimi i pjesës së dytë të ndeshjes për Lacion është aktivizuar Lorik Cana, i cili ka qenë ndër më të mirët në fushën e lojës, duke luajtur në pozicionin e tij natyral në mesfushë.
Diferencën me Juventusin e ka ngushtuar në 5 pikë edhe Napoli, që ka mundur lehtësisht 3-0 skuadrën e Samir Ujkanit, Palermon, e cila duket se në këtë sezon është e destinuar për të rënë në Serinë B pas shumë paraqitjesh të dobëta.
Nuk kanë arritur ndërkohë të mbajnë hapin e kreut skuadra e Fiorentinës dhe Romës të cilat janë mundur respektivisht në fushën e Udinezes dhe Katanias. (LajmeShqip.com)
Seria A
Java 20 / Rezultatet
Torino-Siena 3-2
5’ Brigi, 38’ Bianki, 45’ Çerçi / 32’ Rexhinaldo, 76’ Paoluçi
Lacio-Atalanta 2-0
67’ Flokari, 77’ (ag) Brivio
Udineze-Fiorentina 3-1
45’ (p), 66’ Di Natale, 67’ Muriel / 20’ (ag) Brkiç
Kaljari-Xhenoa 2-1
55’ Sau, 82’ Konti / 48’ Pisano
Parama-Juventus 1-1
78’ Sansone / 52’ Pirlo
Napoli-Palermo 3-0
30’ Maxhio, 34’ Inler, 73’ Insinje
Katania-Roma 1-0
62’ Gomez
Sunday, 13 January 2013 18:22