Liverpuli ka gjetur një mënyrë mjaft origjinale për t’u mësuar anglishten lojtarëve të huaj, duke i detyruar të luajnë me orë të tëra lojën e famshme “Monopoly”.
Shkas është bërë një episod mjaft humoristik kur një nga lojtarët e rinj të huaj të skuadrës, kujtonte se shokët e tij e thërritnin “melon” (shalqi), ndërsa në fakt shokët e tij të skuadrës po thërritnin “man on”, term që përdoret kur një kundërshtar po të afrohet pas krahëve.
Këtë fakt e ka pranuar personi që është punësuar si mësuesi i gjuhës angleze në këtë klub të famshëm, Alan Redmond.
“Lojtari mendoi se ata po e thërritnin shalqi dhe pyeste veten se mos talleshin duke menduar se e kishte kokën e madhe. Kur e zbuloi realisht se çfarë ishte fraza që të gjithë po përdornin me të, qeshi me të madhe”.
Uruguaiani Luis Suarez është mes yjeve të skuadrës që po mëson gjuhën angleze duke luajtur “Monopoly”, pasi e ka më të thjeshtë sesa duke folur me lojtarë si Stiven Xherard që flasin në dialekt.
“Ky është një ushtrim i rëndësishëm grupi dhe i bën djemtë që të diskutojnë dhe të negociojnë në anglisht. I mëson gjithashtu si të përdorin paratë angleze. Është fantastike t’i shohësh të mësojnë anglisht, pasi duan të kuptojnë gjithçka në lojë”, tha Redmond. (LajmeShqip.com)
Friday, 11 January 2013 12:43