Fluksi i lartë i turistëve gjatë Botërorit 2014 pritet të rritë edhe punën e prostitutave braziliane gjatë zhvillimit të këtij aktiviteti. Për të mos u gjetur “të papërgatitura” para një situate të tillë, prostitutat e Belo Horizonte, një prej qyteteve pritëse, do të marrin leksione të gjuhës angleze falas.
“Duam të mësojmë disa nga fjalët kryesore në gjuhën angleze, por edhe pak nga terminologjia elementare që mund të përdoret gjatë ushtrimit të profesionit. Në ditët e sotme, në çdo profesion është e nevojshme të njohësh gjuhën angleze”, u shpreh për mediat presidentja e Shoqatës së Prostitutave në Minas Geras.
Deri tani, pjesëmarrja në këtë kurs falas është e ulët, pasi janë regjistruar vetëm 20 prostituta. Por pritet që të paktën 300 nga 8 mijë prostitutat që aderojnë në këtë shoqatë, të marrin pjesë rregullisht në leksione, të cilat do të fillojnë në muajin mars dhe do të zgjasin 6 muaj. Nëse iniciativa e anglishtes ecën mirë, prostitutat do të fillojnë të mësojnë edhe termat bazë në gjuhën franceze dhe italiane. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 08 January 2013 16:12