Lens Armstrong po bëhet gati të tregojë gjithçka rreth përdorimit të dopingut gjatë karrierës së tij në çiklizëm. Këtë opinion e ka publikuar sot gazeta prestigjioze amerikane “New York Times”, sipas të cilës, ish-çiklisti që u pezullua përjetësisht dhe iu hoqën të 7 titujt e fituar në Turin e Francës, u ka komunikuar familjarëve të tij se është gati të zbulojë detajet e përdorimit të substancave të palejuara si dhe transfuzioneve të gjakut që i mundësuan shumë fitore në karrierën e tij.
Sipas “NYT”, 41 vjeçari synon të ulë dënimin e tij, në mënyrë që të ketë mundësi në të ardhmen të marrë përsëri pjesë në garat e triatlonit, që kanë zëvendësuar pasionin e tij për çiklizmin.
Ky lajm ka bërë bujë edhe për faktin se prej 10 vitesh, Armstrong ka mohuar fuqimisht çdo akuzë të ngritur kundër tij për përdorim dopingu, edhe kur në tetorin e vitit të kaluar u akuzua nga USADA se kishte ndërtuar “sistemin e dopingut më të sofistikuar, profesional dhe të suksesshëm në historinë e sportit”.
Një tjetër shtysë e rëndësishme ndaj pranimit të fajit ka ardhur nga fondacioni “Livestrong”, të cilin ai e themeloi pasi luftoi betejën me kancerin. Donatorët më të mëdhenj i kanë kërkuar atin që të pranojë fajin dhe të mos dëmtojë më shumë me mohimet e tij punën e këtij fondacioni, që i dedikohet plotësisht luftës kundër kancerit.
Avokati i ish-çiklistit, Tim Herman, ka hedhur poshtë menjëherë hipotezën e publikuar nga “New York Times”, por jo me forcë siç ka ndodhur më përpara, duke treguar se pas kësaj mund të fshihet një e vërtetë që mund të ndryshojë historinë e sportit të çiklizmit. (LajmeShqip.com)
Saturday, 05 January 2013 15:20