Juventusi ka mbyllur me një fitore vitin 2012, duke vazhduar që të kryesojë në kampionat i shkëputur nga ndjekësit, por fitorja 3-1 ndaj Kaljarit ka ardhur mes polemikave për gjykimin që ka lënë për të dëshiruar dhe ka ngjallur kontestime nga të dy skuadrat.
Ndonëse ndeshja luhej në fushën neutrale të Parmës, ka qenë Kaljari që ka kontrolluar lojën, duke i krijuar probleme të mëdha bardhezinjve që në minutat e para. Sardët kanë arritur të kalojnë në avantazh në minutën e 16-të, pas një penalltie të Pinilës, të kontestuar gjatë nga kampionët e Italisë.
Njëkohësisht, gjyqtari Damato nuk jep dy herë radhazi penallti për Juventusin, për aksione të dyshimta në zonën e Kaljarit. Por gjithsesi ai jep karton të kuq për qendërmbrojtësin Astori, në minutën e 65-të të ndeshjes, pas dy kartonëve të verdhë. Ky vendim kontestohet nga Kaljari, duke sjellë edhe largimin me karton të kuq të trajnerit të ekipit sard.
Që nga ai moment, Juventusi kërkon golin me ngulm duke pushtuar zonën e Kaljarit, por pa sukses dhe duket se do të jetë një natë negative për bardhezinjtë që humbin edhe një penallti me anë të Vidal.
Fatmirësisht për Konten, situatën e zgjidh një “ish”, sulmuesi Matri, i cili shënon në portën e Agazi, deri atëherë i jashtëzakonshëm me pritjet e tij. Sulmuesi i Juventusit, i fundit për nga rëndësia në hierarkinë aktuale të përcaktuar nga Konte, shënon edhe golin e dytë, në minutën e 92-të, por gjatë aksionit Vidal prek topin me dorë.
Ndërsa kaljaritanët protestojnë, Xhovinko gjen edhe golin e tretë, ndonëse pronësinë e tij e merr Vuçiniç që shtyn topin në vijën fatale duke vulosur rezultatin e kësaj ndeshje që çon përkohësisht në 10 pikë diferencën e bardhezinjve me vendin e dytë që mbahet nga Interi dhe Lacio.
Për më tepër, bardhezinjtë e drejtuar nga Konte kanë arritur të thyejnë një tjetër rekord, duke koleksionuar 94 pikë në kampionat gjatë vitit 2012, për të kaluar shifrën 93 të vendosur po nga kjo skuadër në vitin 2005, kur drejtohet nga Fabio Kapelo. (LajmeShqip.com)
Friday, 21 December 2012 23:14